Krijimi i një strukture të posaçme, enkas për ndjekjen penale dhe hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar synon mbi të gjitha garantimin e dhënies së drejtësisë në mënyrë sa më efikase dhe të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm.
Për këtë arsye të gjithë personat pjesë të një prej organeve të kësaj strukturë, qoftë si personel administrativ mbështetës apo si vetë prokurorët, hetuesit dhe policët gjyqësore i nënshtrohen një procesi tejet rigoroz seleksionimi dhe më pas mbikëqyrjeje të vazhdueshme gjatë kohës që janë në detyrë. E njëjta gjë vlen dhe për familjarët e personave në fjalë.
Disa nga masat nëpërmjet të cilave synohet integriteti sa më i lartë i personave të lartpërmendur është nënshtrimi i tyre në një proces vlerësimi, paraprakisht marrjes se detyrës, ku ndër të tjera përfshihen:
• Kontrolli i verifikimit te pasurisë dhe figurës
• Kontrolli periodik i llogarive bankare te tyre dhe anëtareve të afërt të familjes
• Deklarimi i dorëheqjes nga e drejta për privatësi në telekomunikimet e tyre dhe në të dhënat financiare
Me interes janë edhe kriteret që duhet të përmbushë kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku përveç sa më lart, shprehimisht parashikohet që kandidati për këtë detyrë të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i organeve drejtuese të Partisë së Punës dhe Regjimit Komunist, si dhe Sistemit Gjyqësor gjatë viteve 1944 –1991.
Një tjetër parametër që synon të konsolidojë paanshmërinë dhe integritetin në punën e SPAK është dhe detyrimi i prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme që të hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë dhe gjyqtarë të vetë strukturës së SPAK kur ka dyshime të mjaftueshme për kryerjen e një vepre penale prej tyre. Për këtë qëllim parashikohet një mekanizëm mbikëqyrjeje ku një skuadër e vogël, që rikonfigurohet ne krye të gjashtë muajve, monitoron periodikisht komunikimin e gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesëve, oficerëve të policisë gjyqësore, dhe personelit administrativ të organeve të SPAK