Gjashtë anëtarët gjyqtarë të KLGJ zgjidhen nga kolegët e tyre (nga vetë gjyqtarët) sipas procedurave dhe përkundrejt kritereve të parashikuara në ligj.
Kandidatët nga avokatia përzgjidhen fillimisht nga një strukturë e pavarur, e drejtuar nga Avokati i Popullit. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë midis kandidatëve nga avokatia me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.
Kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në 2 faza: së pari nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë (fakultetet e drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës) dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve. Kuvendi zgjedh pastaj 2 anëtarë midis kandidatëve nga trupa e pedagogëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.
Kandidatët nga shoqëria civile përzgjidhen fillimisht nga një strukturë e pavarur e përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile. Kuvendi zgjedh pastaj 1 anëtar midis kandidatëve nga shoqëria civile me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.
Në qoftë se Kuvendi nuk e arrin shumicën prej 2/3, kandidatët e renditur më lart në vlerësimin e organeve që bëjnë përzgjedhjen e kandidatëve konsiderohen të emëruar.