Merkure, 17 Tetor 2018 13:20
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar


Si funksionon SPAK?

SPAK është i përbërë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësia e Pavarur Hetimore ndryshe quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si organi përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar përfaqëson akuzën përpara gjykatave të posaçme. Për rrjedhojë në përmbushje të këtij funksioni kjo Prokurori drejton dhe kontrollon Hetuesit dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme zgjidhen për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi.
Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Byroja është e përbërë nga Hetues dhe shërbimet e Policisë Gjyqësore.
Hetuesi është punonjës i Byrosë Kombëtare të Hetimit, përgjegjës për hetimin dhe e kryen atë vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi emërohet në detyrë për jo më pak se 7 vjet dhe gëzon statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore.
Ndërkohë Byroja Kombëtare është e përbërë edhe nga shërbimet e Policisë Gjyqësore që kanë për qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe komunikimit midis Byrosë dhe institucioneve të tjera.
Këto shërbime kanë për funksion edhe të ndihmojnë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme, që kryhen nga institucione të tjera.
Këta oficerë të Policisë Gjyqësore emërohen për një periudhë 5-vjeçare pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe janë të pavarur nga institucioni i tyre, siç mund të jetë për shembull Policia e Shtetit. Më përmbushjen e mandatit 5-vjeçar ata kanë te drejtë të rikthehen në institucionin e tyre.