E ballafaquar me korrupsionin mjaft të përhapur dhe kërcënimin e një krimi të organizuar gjithnjë e më të fuqishëm, qeveria dhe institucionet politike shqiptare ndërmorën reformën në gjyqësor. Reforma udhëhiqet nga një kërkesë e fortë e brendshme, pasi qytetarët duan që gjyqësori të mbështesë sundimin e ligjit dhe të japë drejtësi pa ndikime politike, korruptive ose kriminale, si dhe një mbështetje të gjerë nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndërsa perceptohet gjerësisht si një përpjekje për të frenuar korrupsionin dhe krimin, reforma e gjyqësorit është shumë më tepër se kaq. Në një sistem demokratik përfaqësues, gjyqësori është shtylla e tretë e shtetit dhe një pjesë thelbësore e sistemit të kontrollit dhe ekuilibrave. Si i tillë, ai qëndron si kundërpeshë ndaj dy shtyllave të tjera, legjislaturës dhe ekzekutivit. Prandaj, është me rëndësi jetike që qytetarët të informohen mirë, të përfshihen dhe të marrin pjesë në zbatimin e vazhdueshëm të reformës dhe të japin kontributin e tyre duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të realizojnë në mënyrën e parashikuar dhe me kohë proceset a parashukuara në ligje.
Përmes zbatimit të projektit “Forcimi i informimit publik dhe pjesëmarrja në zbatimin e reformës gjyqësore nëpërmjet monitorimit, vlerësimit dhe komunikimit të themelimit dhe funksionimit të institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar“, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes po synon të forcojë zërin e qytetarëve në zbatimin e reformës së drejtësisë. Projekti do të prodhojë raporte monitorimi, buletine, artikuj medialë, materiale audiovizive dhe do të përdorë mjete të internetit për të arritur, informuar dhe angazhuar publikun.
Numri i parë i buletinit të SPAK Monitor është i dedikuar për vlerësimin e verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe implikimet e tij në procesin e riorganizimit të Institucioneve Qeverisëse të Sistemit të Drejtësisë dhe në procesin e gjatë të vonuar të themelimit të Institucioneve për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Klikoni këtu për të shkarkuar buletin informativ në format PDF
(ose mund të shfletoni buletinin më poshtë)