CSDG: SPAK Info nr. 11 – Gusht 2019

Enjte, 05 Shtator 2019 11:26
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Me përfundimin e procesit të intervistimit dhe miratimin e listës me 15 kandidatët për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë muajit korrik ka përshpejtuar zhvillimin e seancave dëgjimore dhe marrjen e vendimeve për këto kandidatë.

KPK ka dhënë vendimet për 66% të prokurorëve të renditur nga KLP për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme. I rëndësishëm është fakti që Komisioni ka konfirmuar në detyrë të 10 prokurorët, të cilët janë paraqitur gjatë seancave dëgjimore. Deri tani asnjë nga prokurorët kandidatë për ngritje në detyrë në Prokurorinë e Posaçme, të cilët janë paraqitur përpara Komisionit nuk është shkarkuar, ndërkohë që për 5 kandidatët e tjerë vetting-u ende nuk ka përfunduar.

Ndërkohë për rastet e apeluara vendimet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të përcaktojnë në vazhdimësi ecurinë e këtij procesi. Deri tani nga 10 prokurorët e konfirmuar nga KPK, Institucioni i Komisionerëve Publikë ka ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimet për 2 prej tyre, ndërkohë që për 5 prej tyre ka vendosur mosankimimin e vendimit të KPK-së.

Ritmet e procesit të rivlerësimit janë përshpejtuar edhe në drejtim të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda, kandidatë për në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Thuajse të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda i janë nënshtruar tashmë këtij procesi. Ndërkohë, numri i ankimimeve ka qenë i ulët. Me ritme më të ulta ka qenë procesi për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda nga të cilët ende vetëm 1 gjyqtar nga 14 gjyqtarë që ka kjo Gjykatë i është nënshtruar vetting-ut.

SPAK Info Nr. 11, përshkruan ecurinë e vetting-ut për kandidatët prokurorë dhe gjyqtarë në Prokurorinë dhe Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky numër trajton gjithashtu edhe përmbushjen e disa apekteve financiare, logjistike dhe teknike me rëndësi për veprimtarinë normale të KLP dhe KLGJ.

Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë.

SPAK Info 11