Duke filluar nga muaji prill 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka realizuar vlerësimin e aftësive profesionale për kandidatët për prokurorë të posaçëm duke e përmbyllur këtë proces gjatë muajit qershor 2019.
Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë 10 prokurorë dhe ka shkarkuar 1 prej tyre duke sjellë vazhdimin e garës për 22 kandidatë. Ndërkohë, gjatë muajve në vijim priten të zhvillohen seancat dëgjimore për 12 prokurorët e tjerë.
Edhe në rastin e gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda, pjesa më e madhe e të cilëve kanë pranuar të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, KPK ka përshpejtuar procedurat për zhvillimin e seancave dëgjimore me gjyqtarë të këtyre Gjykatave.
Deri në muajin qershor 2019, KPK ka përfunduar rivlerësimin për pjesën më të madhe të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda (rreth 73%), ndërkohë që nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda i është nënshtruar vetting-ut vetëm 1 gjyqtar nga 14 gjyqtarë që ka kjo Gjykatë.
Një nga hapat më të rëndësishëm mbetet koordinimi për ngritjen e harmonizuar të organeve të hetimit dhe gjykimit të veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë drejtim, KLGJ dhe KLP kanë deklaruar angazhimin e tyre, dhe deri tani ecuria e procesit për ngritjen e organeve të reja po ecën pa diferenca të theksuara.
Spak Info 9 informon mbi ecurinë e rezultateve të vetting-ut për kandidatët prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe kandidatët gjyqtarë në Gjykatat e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë.