Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nisi në fund të muajit dhjetor 2018 procedurat për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda pranë Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me qëllim për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve kryesore për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga të dhënat e prezantuara në Raportin Vjetor për vitin 2018, KLGJ ka publikuan numrin e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, të cilët së bashku me familjarët e afërt të tyre kanë pranuar të japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake.
Të gjithë gjyqtarët (14) e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda kanë pranuar të japin pëlqimin për kufizimin e privatësisë, ndërkohë 8 nga 11 gjyqtarë të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda kanë pranuar të japin pëlqimin dhe dorëzojnë deklaratat respektive. Megjithatë emërimi përfundimtar i tyre në Gjykatat KKKO do të përcaktohet nga vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) nëpërmjet konfirmimit në detyrë.
Megjithëse KPK nëpërmjet shorteve të muajve maj 2018 dhe janar 2019 ka njoftuar për fillimin e procedurave të rivlerësimit për të gjithë gjyqtarët e Gjykatave të Krimeve të Rënda, ritmet e procesit janë shumë të ngadalta, pasi vetëm 24% e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda i janë nënshtruar vetting-ut.
Spak Info 8 informon mbi zhvillimet më të fundit në drejtim të ecurisë së ngritjes së Gjykatave të Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatave të Krimeve të Rënda në Gjykatat e Posaçme.
Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë.