Komisioni i Posaçëm i ngritur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka përfunduar verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore për 28 kandidatët për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, duke seleksionuar 25 prokurorë për vazhdimin e garës për ngritje në detyrë në 15 vendet vakante në institucionin kryesor të hetimit për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Komisioni, i cili ka filluar tashmë nga puna për shqyrtimin e dosjeve të 25 kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, do të bazohet në vlerësimin e dy kritereve kryesore, për të cilat është parashikuar të aplikohet një sistem pikëzimi.
Procesi i vlerësimit në Komision është parashikuar të zgjasë 6 javë, specifikisht deri në datën 15 maj 2019. Pas kësaj faze, për vlerësimin e kandidatëve do të zhvillohet edhe një proces 2-javor intervistimi, i cili përfshin edhe pyetje të drejtuara nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare EURALIUS dhe OPDAT.
Ngritja në detyrë e kandidatëve do të kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë vetëm pasi ato të kenë kaluar procesin e rivlerësimit dhe të jenë konfirmuar në detyrë. KPK dhe KPA pritet të përshpejtojnë gjatë kësaj periudhe procedurat e rivlerësimit për këto prokurorë.
Krijimi i Prokurorisë së Posaçme shpallet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe më pas prokurorët e ngritur në detyrë kanë mundësinë të aplikojnë për pozicionin e Drejtuesit të institucionit, i cili luan një rol thelbësor në administrimin e Prokurorisë së Posaçme dhe aspekteve më të rëndësishme të këtij organi kryesor të hetimit.
Spak Info 6 përshkruan ecurinë e deritanishme të zbatimit të hapave ligjorë në drejtim të procedurave për seleksionimin dhe vlerësimin e kandidatëve për prokurorë të posaçëm, Ky numër trajton gjithashtu edhe ritmet e procesit të rivlerësimit nga KPK dhe numrin e vendimeve të ankimuara në KPA në lidhje me kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë të posaçëm.
Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë.