CSDG: SPAK Info nr.5 – Mars 2019

Marte, 05 Mars 2019 11:11
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Me mbylljen e afatit të dytë në 21 Shkurt për aplikimin e kandidatëve prokurorë në Prokurorinë e Posaçme (PP), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përfundoi hartimin e rregullores “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, e cila përcakton metodologjinë e plotë për vlerësimin e kandidatëve dhe përzgjedhjen e tyre.

Rregullorja për ngritjen në detyrë të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme do të shërbejë si një rregullore tranzitore dhe parashikon ngritjen dhe funksionimin e një Komisioni të Posaçëm të përbërë nga 5 anëtarë, i cili do të ketë të drejtën ti propozojë KLP-së emrat e kandidatëve, të cilët përmbushin kriteret e përcaktuara në rregullore.

Ndër kriteret kryesore që parashikohen në rregullore në lidhje me vlerësimin e kandidatëve do të jenë: kualifikimi i lartë i prokurorëve, integriteti i tyre, aftësia e tyre për mbrojtjen e akuzës në gjykatë, por edhe një raport, i cili do ti kërkohet Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara dhe nëpërmjet të cilët ky institucion do ti referojë KLP-së histori suksesi të prokurorëve kandidatë për në prokurorinë e Posaçme.

KLP ka parashikuar që procesi i shqyrtimit të dosjeve dhe dokumentacionit për 27 kandidatët prokurorë në Prokurorinë e Posaçme të zgjasë rreth 6 javë. Ndërkohë për 1 deri në 2 javë është parashikuar të realizohet procesi i intervistimit të kandidatëve.

Rregullorja “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” u miratua unanimisht me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm në mbledhjen e Këshillit dhe pritet të botohet së shpejti në fletoren zyrtare.

Spak Info 5 përshkruan disa nga afatet kohore dhe kriteret që do të zbatohen për vlerësimin dhe përgjedhjen e kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme.

Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë.

SPAK Info 5