KShH: 5 muaj seanca dëgjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për gjyqtarin e Lartë, Z. Edmond Islamaj

Merkure, 27 Mars 2019 16:25
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Shtyhet seanca e 11-të, për marrjen e vulës apostile për disa dokumente në Itali

Ka arritur në 11 numri i seancave të zhvilluara në Kolegjin e posaçëm të Apelimit (KPA), ndaj subjektit Edmond Islamaj, gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Z. Islamaj u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendim ky që u apelua nga Komisioneri Publik në KPA.

Hedhja e shortit për caktimin e trupit gjykues në KPA, daton 8 muaj më parë, përkatësisht në datën 23.07.2018, ndërsa seanca e parë është mbajtur me 12 nëntor të vitit të shkuar.

Që nga ajo ditë ka pasur shtyrje të njëpasnjëshme, kryesisht për t’i dhënë kohë subjektit që të paraqesë dokumentat që justifikojnë shpenzimet e udhëtimeve të tij jashtë vendit, për periudhën 1 janar 2004 deri në 1 janar 2008. Megjithatë pavarësisht kohës që i është dhënë në dispozicion, provat e paraqitura nga subjekti nuk kanë qenë konform kërkesave ligjore.

Gjatë seancës së fundit, me datë 26 mars, subjekti prezantoi përpara trupit gjykues të Kolegjit, disa dokumente; si deklarata të dy organizatave ‘Medusa’ dhe ‘Instituto per le Relazioni Italia-Albania, si edhe certifikatat e banimi në Xhenova dhe Milano të Italisë, për shtetasit Dritan Islamaj, Afërdita Brami, Astrit Domi si dhe Enkelejd Xoxe.

Sipas subjektit Islamaj, dokumentet ishin origjinale, por pa vulë apostile, për shkak se procedurat për këtë të fundit merrnin dhjetë ditë deri në dy javë kohë në shtetin fqinj. Megjithatë, ai theksoi se janë në proces aktualisht dhe se mund t’i paraqesë në seancën e ardhshme. Gjithsesi, kreu i trupit gjykues, iu drejtua Komisionerit Publik, nëse mund të shprehej mbi aktet e paraqitura nga Islamaj në gjendjen që janë aktualisht. Por komisioneri theksoi se do të shprehet vetëm pasi dokumentet të jenë administruar në formën e kërkuar nga ligji, konkretisht të jenë më vulë apostile. Pas një konsultimi që zgjati për mëse 30 minuta, trupa prej pesë gjyqtarësh, vendosi të shtyjë seancën deri me datë 17 prill, për t’i dhënë kohë subjektit të legalizojë dokumentet në Itali.