Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sërish për shtyrjen e seancës me subjekt të rivlerësimit Znj. Alma Brati
Të hënën datë 25 Mars 2019, u zhvillua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit seanca gjyqësore e Znj Alma Brati, Gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kryetarja e trupit gjykues në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) në çelje të seancës referoi vendimet e ndërmjetme të marra në seancën e kaluar. Më pas, seanca vijoi me vënien në dispozicion të 2 kopjeve të rezultateve të analizës financiare të kryer nga Njësia e Shërbimit Ligjor pranë KPA-së, për palët (subjektin e rivlerësimit dhe për komisionerin publik). Komisioneri Publik pas marrjes së materialit kërkoi shpjegime nga trupi gjykues mbi metodologjinë e përdorur dhe arritjen e rezultatit final të analizës.
Relatorja e trupit gjykues sqaroi vetëm se analiza financiare përmban deklaratat e dhëna ndër vite të gjyqtares znj. Alma Brati, dhe të ardhurat e pasurive të babait të ndjerë dhe nënës së subjektit të rivlerësimit.
Trupi gjykues vendosi për shtyrje të seancës dhe i la subjektit një kohë të mjaftueshme për të paraqitur prapësimet dhe prova të tjera, deri në datën 12 prill, ora 10.00 kur do të zhvillohet seanca tjetër.