KShH: Pikëpyetjet e vettingut për Kryeinspektoren e KLD-së, Znj. Marsida Xhaferllarit

Merkure, 13 Shkurt 2019 16:07
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Ndonëse priti për 14 muaj procesin e rivlerësimit dhe realizoi me Inspektoriatin e KLD-së vlerësimin profesional për rreth 400 gjyqtarë të listuar për procesin e Vetingut, Kryeinspektorja në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Znj. Marsida Xhaferllari, nuk arriti të njihet me vendimin përfundimtar ndaj saj. Znj. Xhaferllarit, ka shpallur kandidaturën për dy poste të rëndësishme, siç është ai i Inspektores së Lartë të Drejtësisë, si edhe anëtares në Gjykatën Kushtetuese.

Ky është rasti i parë, që kur ka nisur procesi i Vetingut, që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nuk jep një vendim përfundimtar ndaj subjektit, pavarësisht hetimit të thelluar në të tre kriteret si dhe zhvillimit të seancës dëgjimore me subjektin e vettingut. Sipas trupit gjykues Znj. Xhaferllari e ka humbur statusin e gjyqtarit, ndaj objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë i pamundur. Komisioni nënvizoi se subjekti duhet t’i ishte nënshtruar testimit pranë Shkollës së Magjistraturës siç parashikohet në pikën 2 dhe 4 të nenit 42, të ligjit nr. 84/2016, për subjektet e rivlerësimit që nuk e kanë statusin e magjistratit.

Por çfarë vendimesh mund të marrë komisioni bazuar në Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”? Ligji i vettingut nuk parashikon në asnjë rast, perfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar. Masat që mund të marrë komisioni parashikohen në nenin 58 të këtij ligji dhe ato kategorizohen në 3 kategori, përkatësisht subjekti mund të konfirmohet në detyrë, mund të pezullohet nga detyra ose mund të shkarkohet nga detyra.

Ligji nr. 84/2016, në nenin 4/6 parashikon se komisioni mund të referojë në Kodin e Procedurave Administrative, nëse procedurat administrative të ndjekura prej tij nuk janë parashikuar nga dispozitat e Kushtetutës ose të këtij ligji. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për vendimin ndaj Xhaferllarit referoi nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative. “Organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative pa një vendim përfundimtar për çështjen, kur objekti për të cilin kishte nisur procedura apo qëllimi i tij është bërë i pamundur.”

Pra në rastin “Xhaferllari”, Komisioni vlerësoi se është në kushtet kur marrja e vendimit duhej referuar në akte të tjera normative, duke e lënë pa një vendim pëfundimtar, përkundër qëllimit dhe parashikimeve të ligjit të Vetingut. Parë në të gjithë shtrirjen e tij, procesi ndaj Znj. Xhaferllari ngre së pari pikëpyetjen se pse duhej vonuar për 14 muaj procesi i vetingut, teksa subjekti ishte në listën prioritare dhe nuk e gëzonte statusin e magjistratit sipas KPK-së? Së dyti: Në rast të humbjes së statusit të gjyqtarit, pse nuk u konstatua një fakt i tillë, gjatë hetimit të thelluar administrative të kryer nga KPK? Nëse është konstatuar a i është bërë ky fakt me dije vetë subjektit? Çfarë do të ndodhë ne vijim me subjektin që është kandidate per Inspektore e Lartë e Drejtësisë por edhe për anëtare në Gjykatën Kushtetuese? A do të ketë një tjetër proces rivlerësimi ndaj subjektit?

Znj. Xhaferllari referoi nga ana e saj se gëzon statusin e magjistratit. Gjatë seancës dëgjimore, ajo theksoi se kur ka ndërprerë punën si gjyqtare për t’u angazhuar në Ministrinë e Drejtësisë, kalimi është bërë bazuar ne dispozita ligjore, sipas të cilave gjyqtarët mund të shërbenin në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë pa afat dhe pa e humbur statusin.