Monitorimi i seancave dëgjimore për Znj. Antoneta Sevdari
Gjetjet kryesore të monitorimit të procesit të vettingut në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit
Në datën 28 Shkurt 2019, Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi të shkarkojë nga detyra subjektin e ligjit të vettingut, Znj. Antoneta Sevdari, Prokurore e Tiranës dhe Anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Më herët, Znj. Sevdari ishte konfirmuar nga institucioni i shkallës së parë së vettingut, përkatësisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
Vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit monitoruan seancat dëgjimore të zhvilluara në KPA për këtë subjekt. Në seancën dëgjimorë të datës 18 Shkurt 2019, relatori i çështjes i drejtoi disa pyetje Znj. Sevdari se përse shumën prej 12 mije Euro që buronte nga puna e bashkëshortit në kompaninë ""Gsat"", nuk e kishte deklaruar në deklaratën e saj të pasurisë të vitit 2004 pranë ILDKPKI-së? Subjekti u përgjigj se duke qenë se ishte deklarimi i parë, nuk kishte pasur shumë informacion se si duhej plotësuar ai. Ajo shtoi se ka paraqitur në KPK viza të bashkëshortit për vitin 2013 për në Arabinë Saudite, ku ai ka qenë për një kohë të gjatë. Pyetjes së relatorit nëse subjekti kishte marrë informacion nga kompania ""Geosat Grup"", se si i ka paguar sigurimet për vitin 2003 dhe tatimet, Subjekti u përgjigj se kompania nuk ka paraqitur asnjë dokument, pasi nga vitit 2003 kanë kaluar shumë vite, dhe ajo ka pasur detyrimin e arkivimit vetëm për 5 vite.
Lidhur me vlerësimin e kriterit të pasurisë, neni 30 i ligjit të vettingut 84/2016 përcakton se “Objekti i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë për subjektin e rivlerësimit dhe për personat e lidhur të tij”, si dhe nenit 32 të këtij ligji ku parashikohet se, “Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, së bashku me deklaratën e pasurisë, paraqesin të gjitha dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive”. Në pikën 2 të nenit 32 parashikohet përjashtimisht se “Nëse subjekti i rivlerësimit është në pamundësi objektive për të disponuar dokumentin që justifikon ligjshmërinë e krijimit të pasurive, duhet t’i vërtetojë institucionit të rivlerësimit se dokumenti është zhdukur, ka humbur, nuk mund të bëhet përsëri ose nuk merret në rrugë tjetër.” Kjo garanci që parashikon ligji është një e drejtë që i jepet subjektit, rast pas rasti, në bazë të vlerësimit (diskrecionit) që u bën provave të paraqitura për të provuar pamundësinë organi i rivlerësimit. Vëzhguesit e KShH-së konstatuan se dokumentet në fjalë që do të provonin ligjshmërinë e të ardhura të personit të lidhur me subjektin nuk u paraqitën nga subjekti, si dhe nuk u paraqitën as prova bindëse të pamundësisë së marrjes së tyre, e vlerësuar kjo edhe në lidhje me deklarimet e mëparshme periodike të pasurisë së subjektit. Në nenin 33, pika 5 të ligjit të vettingut (84/2016) parashikohet se deklarimet e interesave private dhe pasurore, të paraqitura më parë tek ILDKPKI-ja mund të përdoren si provë nga Komisioni dhe Kolegji i Apelimit ".
Komisioneri publik ka pretenduar para KPA-së se subjekti i rivlerësimit kishte shfaqur probleme profesionalizmi duke mos apeluar një vendim gjykate me të cilin nuk kishte qenë dakord. KPA arsyetoi se, megjithëse Znj.Sevdari mund të kishte pasur arsye objektive për pamundësinë e apelimit, ajo duhej të kishte bërë përpjekje që çështja të apelohej prej kolegëve të saj prokurorë, dhe mosushtrimi i kësaj të drejte nga organi i akuzës që përfaqëson interesat e shtetit në procesin gjyqësor kishte sjellë cënimin e besimit publik tek drejtësia.
Në lidhje parimin e publicitetit të gjykimit, seanca u zhvillua në një sallë gjyqi relativisht të vogël në raport me numrin e lartë të të pranishmëve si nga publiku dhe media. Mungesa e degjueshmërisë në sallë për shkak të volumit të ulët, distancës nga relatuesit dhe numri të madh të publikut të pranishëm e bënte të vështirë ndjekjen e argumenteve në mënyrë të qartë.
Lidhur me etikën e trupit gjykues, vëzhguesit e KShH-së konstatuan se në disa raste moderimi i seancës nga kryesuesi i trupit gjykues nuk respektoi tërësisht nivelin e kërkuar të solemnitetit.
Ky monitorim u realizua në kuadër të projektit “Për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen dhe përgjegjshmërinë në procesin e Vettingut”– projekt i mbështetur financiarisht nga Fondacioni për Shoqërinë e Hapur Shqipëri (OSFA) dhe zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH).