CSDG: Spak Info nr.4

Merkure, 27 Shkurt 2019 15:56
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Në datën 21 Shkurt përfundoi afati i dytë i vendosur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për aplikimin e kandidatëve prokurorë në Prokurorinë e Posaçme (PP). 27 kandidatë shprehën interes për të qenë pjesë e strukturës më të rëndësishme të hetimit për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pjesa më e madhe e kandidatëve janë prokurorë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe gjatë fazës së dytë të aplikimeve, kanë shprehur interes për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme edhe ish-prokurorë, të cilët ushtrojnë aktualisht detyra të tjera jashtë sistemit të prokurorisë.

Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë vetëm 5 nga 27 prokurorët kandidatë në PP, ndërkohë që kanë filluar procedurat e rivlerësimit për pjesën tjetër të prokurorëve, të cilët priten të përfshihen në kalendarin e seancave dëgjimore.

Brenda muajit shkurt ishin parashikuar të fillonin nga funksionimi edhe Gjykatat KKKO. Fillimi i ushtrimit të veprimtarisë së institucioneve të hetimit do të kërkojë bashkëpunimin dhe koordinimin me Gjykatat KKKO dhe anasjelltas, pasi vonesat në ngritjen e njërit prej këtyre organeve do të krijonin vakuam edhe në ushtrimin e kompetencave të strukturave të tjera kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndërkohë, megjithëse janë miratuar struktura dhe buxheti KLP-së për vitin 2019, ende mbetet i pazgjidhur përcaktimi i ambienteve të punës të këtij organi. Në kushtet kur KLP do të duhet të menaxhojë një volum pune në rritje dhe të realizojë disa nga detyrat më të rëndësishme, akomodimi përfundimtar në ambiente të përshtatshme pune, të cilat i përgjigjen kësaj dinamike, mbetet një ndër çështje bazike dhe kryesore për funksionimin normal të institucionit.

Spak Info 4 trajton procedurat që do të ndiqen deri në emërimin e prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme si edhe çështje të tjera në funksion të ngritjes së këtij institucioni.

Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë.
http://csdgalbania.org/sq/wp-content/uploads/2019/02/SPAK-Info-4.pdf?fbclid=IwAR2D9GCpV8HyYwMF6SJRTX4bGKXr0E9jA8JebuCoGz_txY7maxv0ux6wUso