NGA AFRIM KRASNIQI
Reforma në drejtësi (zyrtarisht) vijon të jetë krye-tema për zhvillimet në Shqipëri dhe për Shqipërinë. Procesi krijoi pritshmëri të mëdha dhe u lexua si revolucion i dytë më të rëndësishëm pas viteve ’90. Reforma ndryshon tërësisht strukturën e vjetër të sistemit të drejtësisë, ri-shpërndan kompetenca dhe përgjegjësi, ndryshon sistemin e emërimit dhe të kontrollit, por mbi të gjitha, ka në thelbin e saj mekanizmin e vetingut, - unik për nga përmasat, thellësia, baza ligjore e kushtetuese dhe praktika. A do jetë reformë e suksesshme? A do të përmbushë pritshmëritë? A kemi dakordësi mbi vendimmarrjet e deritanishme? A po shohim që të korruptuarit dhe të paaftët po largohen nga sistemi? A po e ndikon politika vettingun? Cilat do jenë prurjet e reja në sistem? Cili është roli që luan e mund të luajë ONM në këtë proces?
Këto e shumë pyetje të tjera mbeten çështje debati për edhe shumë kohë, - por përveç këtij komponenti të reformës, thelbësore është edhe respekti e ndjekja ligjore e të gjitha etapave, praktikave, afateve dhe procedurave. Dhe legjislacioni ynë është bujar me afatet e procedurat. Ja tabela ilustruese: deri tani kanë përfunduar 100% në nivelin final (Kolegji i Apelimit) vetëm 9 raste, nga të cilat 6 shkarkime, dhe 3 janë dorëheqje, madje 1 është dorëheqje për shkak të pensionit, pra akt më shumë administrativ sesa akt ndaj reformës. Dhe pavarësisht kësaj pamje kritike, procedurat midis verifikimit, seancave të KPK, vlerësimit nga Komisioneri Publik, ankimimit, vlerësimit nga KPA dhe në fund vendimmarrjes nga KPA marrin shumë kohë, - shpesh sumë më tepër sesa ka përcaktuar paketa kushtetuese e ligjore e reformës në drejtësi, sidomos në nivelin e parë. Pothuajse të njëjtën rrugë ligjore dhe administrative do të kalojnë të gjitha dosjet e individëve që janë rrëzuar në vendimet e KPK ose që kanë kaluar por janë ankimuar nga IPK/ONM. Të gjithë presim KLGJ, KLP, KED me shpresë që të kemi SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe që më pas edhe Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë funksionale. Por rruga duket e gjatë.
Nuk ka dilemë se ka një hendek të madh midis ecurisë së procesi dhe pritshmërive qytetare; midis mekanizmave e potencialeve njerëzorë, profesionale e financiare që kanë në dispozicion strukturat e vetingut dhe pritshmërive jo realiste që kemi krijuar mbi to; midis asaj që ndodh praktikisht dhe asaj që dëgjojmë në ligjërimin politik ndaj reformës; midis nevojave emergjente për drejtësi të pavarur, të pa korruptuar e profesionale dhe mekanizmave konkrete për të shkuar tek ky synim. Trajtimi serioz e ligjor i këtij hendeku të shumëfishtë për ti dhënë zgjidhje me vullnet real politik e vendimmarrje institucionale, - duhej të ishte krye-temë dhe shqetësimi primar në agjendën politike në Shqipëri, në parlament dhe në dialogun e nivelit të lartë politik, në bashkëveprimin e institucioneve kushtetuese dhe atyre të përfshira direkt ose indirekt në reformën në drejtësi.