Megjithëse Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi nisjen e procedurave për caktimin e përkohshëm të gjyqtarëve pranë Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ky proces nuk ka përfunduar ende. Ndërkohë deri tani KPK ka përfunduar procesin e rivlerësimit për vetëm dy gjyqtarë të Gjykatave të Krimeve të Rënda.
Emërimi i gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme duhet të përfundojë brenda 2 muajve nga krijimi i KLGJ-së, që do të thotë se ky proces duhet të ndodhë brenda muajit shkurt, kohë në të cilën duhet të fillojë edhe ushtrimi i kompetencave të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ende në proces është edhe ngritja e Prokurorisë së Posaçme. Megjithëse mbeten më pak se dy javë deri në përfundimin e afatit të aplikimit për kandidatë për Prokuror të posaçëm deri tani kanë aplikuar vetëm 2 prokurorë. Deri në datën 7 Shkurt 2019 mbetet ende kohë për të aplikuar, por numri i ulët i deritanishëm i aplikimeve përbën një sinjal jo pozitiv për ecurinë e ngritjes së SPAK.
Megjithë masat e ndërmarra nga KLP për ecurinë normale të procesit të ngritjes së SPAK si dhe pritshmërive dhe mbështetjes së aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë në këtë drejtim, pjesëmarrja e prokurorëve në proces si edhe nevoja për të prioritarizuar rivlerësimin e kandidatëve të mundshëm, mbeten ndër kushtet kyçe për fillimin e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme.
SPAK Info 2 informon mbi ecurinë e deritanishme të emërimit të gjyqtarëve në Gjykatat e Posaçme si dhe mbi ecurinë e ngritjes së Prokurorisë së Posaçme.
Lexoni më shumë duke klikuar në linkun më poshtë:
http://csdgalbania.org/sq/wp-content/uploads/2019/01/SPAK-Info-2.pdf