CSDG: SPAK Monitor nr.2, Shtator - Nëntor 2018

Enjte, 13 Dhjetor 2018 15:00
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve zgjodhën në datat 11 dhe 12 Dhjetor 6 anëtarët gjyqtarë dhe 6 anëtarët prokurorë, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).  Ndërkohë që anëtarët jo-gjyqtarë dhe jo-prokurorë u zgjodhën në shkurt të këtij viti, zgjedhja e anëtarëve gjyqtarë dhe prokurorë, finalizoi konstituimin e këtyre dy Këshillave, të cilët duhet të zhvillojnë mbledhjen e parë jo më vonë se 3 ditë nga data e zgjedhjes së të gjithë anëtarëve si dhe të zgjedhin Kryetarin dhe Zëvendëskryetarin e tyre. Megjithëse krijimi i KLGJ dhe KLP është hapi më pozitiv dhe i nevojshëm për ti hapur rrugë emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Gjykatat dhe strukturën e Posaçme SPAK, numri i ankimimeve në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA) të anëtarëve të zgjedhur, mund të përbëjë një faktor pengues për funksionimin normal të tyre.  Efektet e vendimeve të KPA u trajtuan paraprakisht dhe në mënyrë të detajuar në numrin e dytë të SPAK Monitor, në të cilin u analizuan pasojat e mundshme të konfirmimeve negative të KPA për kandidatët anëtarë të dy organeve, në mënyrë të veçantë të prokurorëve për KLP (http://csdgalbania.org/wp-content/uploads/2018/12/newsletter_spak2_03.pdf). Ndërkohë që për 6 gjyqtarët e zgjedhur në KLGJ nuk ka asnjë ankimim, 3 nga 6 prokurorët e zgjedhur në KLP janë ende në proces ankimimi në KPA. Në këto kushte, vendimi përfundimtar i këtij të fundit do të jetë përcaktues jo vetëm për funksionimin normal të KLP-së, por edhe për ushtrimin e kompetencave që KLP ka në emërimin e prokurorëve të Posaçëm.

CSDG - Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes