Në çfarë faze është zbatimi i ligjeve të reformës në drejtësi? Pse janë vonuar dhe kush e ka vonuar procesin e krijimit të strukturave të reja të drejtësisë? Çfarë rëndësie ka reformimi i sitemit të drejtësisë për shoqërinë shqiptare, dhe jo vetëm për sistemin?
Këto dhe tema të tjera u diskutuan në një takim të hapur me qytetarë në qytetin e Peshkopisë, në kuadër të projektit “Informimi i qytetarëve dhe nxitja e rolit të tyre për të mbështetur reformimin e sistemit të drejtësisë”. Studentë, nxënës, dhe nëpunës morën pjesë në takim.
Gazetarja Anila Hoxha, bëri një pasqyrë të asaj që është bërë deri tani me reformimin e sistemit, kryesisht procesin e vettingut, sa prokurorë e gjykatës janë përjashtuar nga sitemi. Ndërsa drejtuesi i projektit Mentor Kikia, bëri një panoramë të informimit për atë se çfarë po ndodh aktualisht në sferën politike me ligjin e reformës në drejtësi, pengesat që po hasen dhe sfidat e kësaj reforme.
Qytetarët bënë komente dhe shumë pyetje lidhur me shkaqet e degradimit të sistemit dhe çfarë mund të sjelle reformimi i tij për të rritur besimin e qytetarëve. Ata u ftuan për tu bërë pjesë e komunitetit “Qytetarët për Drejtësinë”, për ndikuar me komentet dhe qëndrimet e tyre në faqen e projektit dhe faqet e tyre ne rrjetet sociale, në shërbim të rritjes së presionit ndaj klasës politike për realizimin e reformës në drejtësi