CSDG - Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes:
Vonesat për ngritjen e KLGJ dhe KLP po hyjnë në muajin e 20 dhe mungesa e një kalendari të qartë për ecurinë e procesit mund të rrezikojë seriozisht edhe negociatat për antarësimin e vendit në Bashkimin Evropian
Afati për ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë u parashikua në ndryshimet kushtetuese të vitit 2016. Krijimi i këtyre dy organeve të rëndësishme për ecurinë e reformës në drejtësi duhej të përfundonte 8 muaj nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve, në muajin prill 2017, përfshirë procesin e rivlerësimit me përparësi për kandidatët gjyqtarë dhe prokurorë.
Megjithë tejkalimin e këtyre afateve, krijimi i KLGJ dhe KLP mbetet ende një proces i cili po zhvillohet pa një kalendar të përcaktuar kohor dhe administrativ. Procesi i rivlerësimit me përparësi për kandidatët në KLGJ dhe KLP ka bllokuar ngritjen e tyre. Edhe pse numri i kandidatëve të mbetur për t’ju nënshtruar rivlerësimit është i vogël, KPK ende nuk ka përcaktuar një kalendar të qartë për ecurinë e procesit dhe datat e seancave dëgjimore për këto subjekte.
Këto vonesa po pengojnë seriozisht ngritjen e Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, duke krijuar pengesa në realizimin e objektivave të vendit për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkohë që po hyjmë në vitin kur pritet vendimi për hapjen e negociatave për antarësimin në Bashkimin Evropian.
Nevoja dhe rëndësia për të përfunduar procesin e rivlerësimit për kandidatët e mbetur është prioritare dhe duhet të zhbllokohet sa më parë.
#NjihReformenNeDrejtesi