CSDG - Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes

Hene, 05 Nentor 2018 13:50
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Edhe pse procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka hyrë në muajin e tetë, akoma nuk ka një kalendar se kur do të ngrihen KLGJ dhe KLP, të cilat do t’i hapin rrugën fillimit të procesit të ngritjes së SPAK dhe Gjykatave të Posaçme.

Gjatë muajit nëntor është risjellë në vëmendje rivlerësimi i kandidatëve të listës së përparësisë pasi 13 nga 29 vendimet e dhëna për kandidatët për në KLGJ dhe KLP janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA).
Tashmë që procesi i rivlerësimit ka hyrë në muajin e tetë, ecuria me ritëm më të shpejtë e dy proceseve të lidhura ngushtë me ngritjen e KLGJ-së dhe KLP-së është përcaktuese për zhvillimet e mëtejshme.

Së pari, përshpejtimi i përfundimit të rivlerësimit të kandidatëve gjyqtarë dhe prokurorë për këto organe, dhe së dyti plotësimi i vendeve vakante të cilat rezultuan si pasojë e mos-konfirmimeve në detyrë të subjekteve respektive.

Rivlerësimi i kandidatëve të listës së përparësisë u rimorr nga KPK pas rreth dy muajsh, me caktimin e datës 9 nëntor për zhvillimin e seancës dëgjimore të prokurorit Ramadan Troci, i cili është kandidat për në KLP. Ndërkohë, në fund të muajit tetor u realizua plotësimi i pozicionit për prokurorë të apeleve, me konfirmimin në detyrë të prokurorit Bujar Sheshi.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, evident mbetet numri i lartë i çështjeve të ankimuara në KPA. Vetëm me dhënien e vendimeve të formës së prerë nga KPA do të përcaktohet nëse gjyqtarët dhe prokurorët në proces rivlerësimi do jenë ose jo pjesë e sistemit të gjyqësorit dhe prokurorisë, dhe për pasojë edhe të KLGJ-së dhe KLP-së.

Në mënyrë të veçantë ky proces do jetë vendimtar për subjektet kandidatë të konfirmuar në detyrë nga KPK. Duke qenë se mundësia e vlerësimit negativ nga KPA për këto kandidatë do të shoqërohej me mungesë të plotësimit të pozicioneve përkatëse dhe përsëritje të procedurave të shpalljes dhe aplikimit, kalendari i ngritjes së KLGJ-së dhe KLP-së nuk mund të parashikohet ende. Për pasojë, edhe fillimi i procesit për ngritjen e SPAK dhe dhe Gjykatave të Posaçme mbetet i paparashikueshëm.

Ndërkohë publikimi i vendimeve të KPK-së 30 ditë nga njoftimi i tyre mbetet një faktor i rëndësishëm për depozitimin në kohë të ankimimeve të mundshme nga Komisioneri Publik apo vetë subjektet, të cilët mund ti drejtohen KPA-së brenda 15 ditëve nga data e njoftimi të vendimit të Komisionit. Derit tani publikimi i vendimeve për 13 kandidatë në KLGJ dhe KLP ka tejkaluar afatet ligjore, duke sjellë më shumë vonesa në ankimime dhe në vetë procesin e rivlerësimit në tërësi.

#NjihReformenNeDrejtesi #CSDG #OSFA