CSDG: Mbi 30% e kandidatëve të konfirmuar për në KLGj dhe KLP kanë marrë vlerësim minimal për kriterin e aftësive profesionale

Merkure, 31 Tetor 2018 13:11
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Përfundimi i rivlerësimit të kandidatëve për organet e reja të drejtësisë po vazhdon me ritme të ngadalta dhe për shkak të mosplotësimit të numrit të tyre gjatë fazës së parë është bërë rishpallje e thirrjeve për aplikime. Në këto kushte, konfirmimi i kandidatëve që kanë arritur ta kalojnë me sukses këtë proces përbën një hap të rëndësishëm për ritmin e ngritjes së këtyre institucioneve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të jenë organet kryesore për menaxhimin e gjyqësorit dhe prokurorisë. Për këtë arsye, kriteret profesionale të kandidatëve janë mjaft të rëndësishme për përzgjedhjen e tyre. Edhe më herët, gjatë përzgjedhjes së anëtarëve jo-gjyqtarë dhe jo-prokurorë, mosplotësimi i kritereve profesionale ka shpënë në rishpalljen e thirrjeve për aplikime deri në 6 herë, dhe si pasojë shtyrje të afateve kohore.

Megjithatë, në rastin e anëtarëve gjyqtarë dhe prokurorë, pavarësisht standardeve fillestare për aplikim të vendosura në dispozitat ligjore, ligji për rivlerësimin lejon konfirmimin në detyrë të subjekteve edhe me një vlerësim minimal të aftësive profesionale, krahasuar me kriteret e pasurisë dhe figurës.

Aktualisht bazuar në vendimet e publikuara, më shumë se 30% e subjekteve gjyqtarë dhe prokurorë kandidatë për KLGJ dhe KLP të cilët tashmë janë konfirmuar në detyrë, janë vlerësuar me nivelin minimal kualifikues për sa i përket kriterit të aftësive profesionale.

Ndërkohë që për anëtarët e Gjykatave të Posaçme dhe Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion SPAK profesionalizmi konsiderohet ndër elementët thelbësorë për emërimin e tyre, kjo tendencë në lidhje me profesionalizmin e antarëve të KLGJ-së dhe KLP-së përbën një ndër pikat e dobëta të procesit.

#njihreformennedrejtesi #CSDG #OSFA