CSDG: Mos-përparësia e listës së përparësisë

Hene, 22 Tetor 2018 11:41
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Megjithëse mosplotësimi i numrit të kandidatëve në organet e drejtësisë rrezikon të krijojë vonesa në ngritjen e tyre, nevoja për të prioritarizuar rivlerësimin e kandidatëve të mbetur është po aq e rëndësishme.

Lista e subjekteve prioritare e muajit dhjetor 2017, pati qëllim kryesor përshpejtimin e përfundimit të rivlerësimit për subjektet kandidatë në organet e drejtësisë, në mënyrë të veçantë Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), me kompetenca të rëndësishme në drejtim të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK. Megjithatë pas datës 6 shtator, e gjithë periudha në vijim është fokusuar në rivlerësimin e subjekteve pjesë e shorteve pasuese, kur ende lista e përparësisë nuk është finalizuar.

Përveç këtij fakti, ashtu si edhe në rastin e KLGJ-së, edhe ngritja e KLP po vonohet për shkak të mosplotësimit të numrit të nevojshëm të prokurorëve të gjykatave të apelit. Nga të gjithë kandidatët vetëm prokurori Arben Dollapaj është konfirmuar në detyrë. Kjo ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të shpallë thirrjen për kandidatë, por në mungesë të aplikimeve thirrja është rishpallur për herë të dytë, duke sjellë edhe vetë reagimin e Zyrës së BE-së në Tiranë dhe drejtueses së ONM-së, Znj. Genoveva Ruiz Calavera.

Gjithsesi, duke ju referuar përvojës me kandidatët për KLGJ që rezultuan nga thirrja e dytë në shtator, kur ende vetëm 1 prej tyre pritet ti nënshtrohet rivlerësimit, publikimi në rastin më të mirë i emrave të listës që do të rezultojë nga shpallja e njoftimit, nuk do të sjellë ngritjen e KLP-së, pasi detyrimi për t’ju nënshtruar procesit të rivlerësimit do të kërkojë kohën dhe procedurat e nevojshme.

Në këtë mënyrë, rivlerësimi në drejtim të kandidatëve të mbetur, por dhe atyre që do të aplikojnë duhet të konsiderohet prioritar për të minimizuar sa më shumë tejkalimet e afateve, rezultatet e paparashikueshme të rivlerësimit të kandidatëve dhe përshpejtuar procesin tashmë të vonuar.