CSDG: KLP përballet me vonesa për shkak të mos konfirmimit të kandidatëve të fazës së parë

Marte, 16 Tetor 2018 11:26
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

Konstituimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) përballet me vonesa për shkak të mos konfirmimit të kandidatëve të fazës së parë. KLP është organi përgjegjës për emërimet e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). I ndërtuar sipas të njëjtit koncept me Këshillin e Lartë Gjyqësor, ky organ do të ketë në përbërje 11 anëtarë: 6 prokurorë dhe 5 jo-prokurorë. Anëtarët jo-prokurorë të KLP: Nurihan Seiti dhe Tartar Bazaj (nga Avokatia), Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci (Pedagogë) dhe Alfred Balla (nga Shoqëria Civile) janë zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë në 8 shkurt 2018. 
Ndërkohë anëtarët jo-prokurorë në KLP do të jenë:  - 3 prokurorë të shkallës së parë, së paku 1 prej tyre prokuror në një prokurori pranë gjykatës të shkallës së parë jashtë Tiranës;  - 2 prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, së paku 1 prej tyre prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës;  - 1 prej tyre prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Për këto pozicione aplikuan 18 prokurorë, nga të cilët janë konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK): 5 nga prokurorët e shkallës së parë, 1 prokuror i prokurorisë pranë gjykatës së apelit dhe 2 prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme. Megjithëse nuk ka përfunduar ende rivlerësimi për 3 prokurorë, konstituimi i KLP duket se nuk do të jetë një proces i afërt pasi moskonfirmimi në detyrë i numrit të nevojshëm të prokurorëve pranë gjykatave të apelit nuk plotësohet edhe me përfundimin e rivlerësimit.  Prokuroria e Përgjithshme ka rihapur thirrjen dhe ndërkohë që afati i aplikimit ka përfunduar, pritet të publikohet lista zyrtare e kandidaturave, e cila bazuar në numrin dhe statusin e rivlerësimit do të përcaktojë vijimin e procesit të ngritjes së KLP.