Ora News: Afrim Krasniqi, SPAK dhe vetingu në politikë, rruga drejt zgjidhjes

Premte, 12 Tetor 2018 11:21
Vlerëso këtë artikull
(0 votes)

BE ka njoftuar nisjen e procesit "screening". Në praktikën e deritanishme ky është një proces i monitorimit dhe asistencës, për ligjet, aktet administrative dhe vendimmarrjet. Shqipëria pritet të bëhet një rast i veçantë nga praktika tradicionale e ndjekur nga BE. Me insistim nga Berlini, Parisi dhe kolegët e tyre përtej Atlantikut, është rënë dakord në nivele politike për të aplikuar në Shqipëri një model tjetër të procesit "screening": hetim, monitorim dhe përgatitjen e dosjeve për vettingun e politikanëve e zyrtarëve vendimmarrës në Shqipëri.
Tashmë është e qartë se standardi që politika ndoqi me gjyqësorin e prokurorinë, - largim nga sistemi për 50% të gjyqtarëve e prokurorëve, të cilët, nuk justifikojnë dot burimet e tyre financiare, - nuk ka sens dhe do jetë gjysmak nëse nuk aplikohet edhe për politikanët dhe drejtuesit e lartë shtetërorë. Ligjet e mira duhen, por një vend kandidat nuk mund të jetë asnjëherë në standardet reale të anëtarësimit në BE nëse nuk ka demokraci funksionale, transparencë, llogaridhënie dhe standarde të larta të elitës politike.

SPAK krijohet pas rreth një viti dhe deri atëherë fokusi i punës së tyre, politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, duhet të kenë dosjet gati në mënyrë që reforma reale në drejtësi të japë efekte dhe shqiptarët të besojnë se kemi të bëjmë me një ndryshim të madh e cilësor në jetën e tyre. Kjo është rruga e vetme, mjeti i vetëm, shpresa e vetme, ndaj shumë prej deklaratave që dëgjojmë në Tiranë prej sundimtarëve tanë majtas e djathtas, nuk duhet të merren seriozisht ashtu sic nuk merren seriozisht nga shumica e partnerëve perëndimorë.

Elitat e korruptuara gjithnjë janë të lumtura dhe ndjehen të sigurta, arrogante, konsensuale, te perjetshme dhe të gjithëpushtetshme kur qytetarët nenshtrohen e nuk kanë mekanizëm për ndryshimin dhe as kontrollin e tyre.

Ne jemi në këtë fazë. Pa ndryshuar sistemin e korruptuar, nuk kemi zgjidhur asgjë, dhe ndaj nuk është zgjidhje as ndryshimi çdo 4 apo 8 vjet i elitave të korruptuara në vetë sistemin e korruptuar. SPAK dhe vetingu në politikë janë rruga drejt zgjidhjes, për më shumë demokraci funksionale, rikthim të besim në një sistem të ri dhe më shumë mirëqeverisje.

Media